Achraf Hakimi raportohet se është i interesuar për një rikthim te Real Madridi dhe madje është i gatshëm të shtyjë përpara një transferim drejt klubit madrilen, sipas burimeve të gazetarit Ramon Alvarez.
Mbrojtësi i djathtë, i cili është produkt i akademisë së Real Madridit, ka lënë gjurmë gjatë periudhës së tij në klub përpara se të transferohej fillimisht te Borussia Dortmund dhe më pas te Paris Saint-Germain, ku aktualisht është një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Megjithatë, një rikthim i mundshëm në “Santiago Bernabeu” mbetet i ndërlikuar për shkak të kontratës së tij afatgjatë me PSG-në, e cila është e vlefshme deri në vitin 2029.
Kjo do të thotë se çdo lëvizje do të kërkonte negociata të vështira dhe një ofertë të konsiderueshme financiare nga ana e klubit spanjoll.
Nga ana tjetër, raportet sugjerojnë se marrëdhëniet mes drejtuesve të Real Madridit dhe PSG-së janë përmirësuar ndjeshëm kohët e fundit, çka mund të krijojë një terren më të favorshëm për bisedime të mundshme në të ardhmen.
Edhe pse aktualisht nuk ka negociata zyrtare të konfirmuara mes palëve, dëshira e vetë lojtarit për t’u rikthyer në Madrid mund të shndërrohet në një faktor vendimtar gjatë afatit kalimtar veror, ku pritet të ketë zhvillime të reja rreth së ardhmes së tij. /Telegrafi/