BDI sot ka reaguar lidhur me rritjen e çmimit të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut. Nga atje kërkojnë ndryshim të rregullores së KRRE-së në përcaktimin e çmimeve të derivateve.
“Ndërkohë që në bursat ndërkombëtare çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme prej rreth 10%, në vendin tonë qytetarët do të vazhdojnë të paguajnë çmime më të larta gjatë gjithë javës. Arsyeja është e qartë – Komisioni Rregullator për Energjetikë vazhdon të zbatojë një model të vjetruar, të bazuar në mesataren e javës së kaluar, në vend që të reagojë në kohë reale.
Kjo praktikë shkon drejtpërdrejt në favor të interesave të caktuara biznesore, në dëm të qytetarëve.
Për këtë arsye kërkojmë: Ndryshim të menjëhershëm të rregullores për përcaktimin e çmimeve; Vendosjen e përllogaritjes së çmimeve të paktën dy herë në javë
Faktet janë alarmante:
– Konsumi javor: rreth 12 milionë litra naftë.
– Diferenca në çmim: rreth 9 denarë për litër.
– Kosto shtesë totale: mbi 1.5 milion euro vetëm për një javë.
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset e vogla paguajnë miliona më shumë, ndërkohë që dikush përfiton nga një sistem që nuk funksionon si duhet”, thonë nga BDI./Telegrafi/