Janë publikuar pamjet nga arrestimi i Justin Timberlake në vitin 2024 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit në Hamptons, ku këngëtari shfaqet i tensionuar dhe në disa momente përpiqet të lehtësojë situatën me humor.
Në video, Timberlake shihet duke bashkëpunuar me policinë, por edhe duke minimizuar konsumimin e alkoolit.
“Ju vlerësoj djema që po bëni punën tuaj. Pira një martini dhe i ndoqa miqtë e mi për në shtëpi”, u shpreh ai.
Gjatë procedurave, ai u ankua për mënyrën si po trajtohej, duke thënë: “Ju djema po më trajtoni si kriminel”.
Në një moment, ai bëri edhe një shaka të sikletshme lidhur me përshkrimin e tij si “i bardhë” në dokumente, shkruan DailyMail.
Pamjet tregojnë gjithashtu se këngëtari pati vështirësi gjatë testeve të maturisë dhe u duk i nervoz, përpara se të prangosej pasi refuzoi testin e alkoolit.
Më vonë, Timberlake pranoi fajësinë dhe bëri thirrje publike kundër drejtimit në gjendje të dehur, duke theksuar: “Edhe nëse ke pirë një gotë, mos u ul në timon”.
Ngjarja shërbeu si një mesazh ndërgjegjësues për publikun mbi rreziqet e drejtimit nën ndikimin e alkoolit. /Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com