Donald Trump ka thënë se udhëheqësit evropianë janë “të dobët” në një sulm të jashtëzakonshëm ndaj disa prej aleatëve më të ngushtë të Uashingtonit.
Presidenti amerikan i tha POLITICO-s në një intervistë se vendet evropiane “në rënie” nuk kishin arritur të kontrollonin migracionin ose të ndërmerrnin veprime për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke vënë në pikëpyetje aleancat e vjetra të Amerikës.
Ai theksoi se dallimet ideologjike tani kërcënonin të prishnin lidhjet e ngushta të Uashingtonit me vendet evropiane, shkruan The Telegraph.
I pyetur nëse udhëheqësit e huaj që shihen si të dobët mund të jenë ende aleatë, Trump tha: “Varet”.
Ai nisi një sulm të ri kundër Sadiq Khan, duke e quajtur kryetarin e Bashkisë së Londrës një “katastrofë” i cili “zgjidhet sepse kaq shumë njerëz kanë ardhur”.
Trump u pyet nëse mesazhi i tij ishte një “mesazh dashurie të ashpër” për partnerët evropianë, apo nëse i sheh ata “si të dobët”.
“Mendoj se janë të dobët”, u kundërpërgjigj ai. “Por gjithashtu mendoj se ata duan të jenë kaq politikisht korrektë. Mendoj se nuk dinë çfarë të bëjnë”.
Trump gjithashtu e kritikoi Parisin gjatë një fjalimi mbi migracionin në Evropë dhe e përqeshi Suedinë si një “vend mjaft të pasigurt”.
“Nëse e shikoni Parisin, është një vend shumë i ndryshëm”, tha ai, duke shtuar: “Nëse e shikoni Londrën, keni një kryetar bashkie me emrin Khan. Ai është një kryetar bashkie i tmerrshëm. Ai është një kryetar bashkie i paaftë, por është një kryetar bashkie i tmerrshëm,…”.
“Mendoj se ka bërë një punë të tmerrshme. Londra është një vend tjetër. E dua Londrën… Dhe urrej ta shoh të ndodhë”.
Ai shtoi se nuk do ta merrte në konsideratë përfshirjen e tij në zgjedhjet evropiane, por do të mbështeste kandidatët – edhe nëse kjo rrezikon të shkaktojë reagime të ashpra.
“… Kam mbështetur njerëz, por kam mbështetur njerëz që shumë evropianë nuk i pëlqejnë. Kam mbështetur Viktor Orbán [të Hungarisë]”.
Komentet e tij pasuan kritikat ndaj Evropës në strategjinë e re të sigurisë kombëtare të SHBA-së të publikuar javën e kaluar.
Ajo e cilësoi Evropën si të “mbirregulluar” dhe tha se po përballet me “fshirje qytetërimi”, një narrativë që përputhej me partitë e ekstremit të djathtë.
Në anën tjetër, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se dokumenti i Shtëpisë së Bardhë dukej të ishte një “provokim”, ndërsa përsëriti se SHBA-të mbeteshin aleati më i ngushtë i Evropës.
Intervista vjen disa ditë pasi djali i Trump tha se babai i tij mund të “largohet” nga procesi i paqes në Ukrainë në një intervistë që shkaktoi alarm në Evropë.
Donald Trump Jr i tha Sky News se presidenti mund të largohet krejtësisht nga bisedimet sepse çështja ishte më pak e rëndësishme për amerikanët sesa “lufta” e babait të tij kundër karteleve të drogës. /Telegrafi/