Është rënduar bilanci i aksidentit tragjik të ndodhur mbrëmjen e së dielës, më 22 mars 2026, në rrugën e lumit të Vlorës.
Pas dy personave që ndërruan jetë në vendngjarje si pasojë e përplasjes së dy automjeteve, ka humbur jetën edhe personi i tretë, i cili ndodhej në gjendje të rëndë për jetën.
Si pasojë e goditjes së fortë, dy drejtuesit e mjeteve, A.A, rreth 30 vjeç, dhe E.B, rreth 40 vjeç, humbën jetën në vendngjarje. Ndërkohë, pasagjeri në një prej automjeteve, 40-vjeçari A.B, u nxor nga mjeti në gjendje kritike dhe u transportua me urgjencë drejt spitalit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë disa orë më pas.
Në aksident u përfshinë një mjet tip “Benz” me targë FR4044C dhe një mjet tip “Ford” me targë AB309FL. Përplasja ka qenë e fuqishme, duke shkaktuar dëmtime të rënda dhe shkatërrim pothuajse të plotë të pjesës ballore të të dy automjeteve.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ambulancat, të cilat punuan për nxjerrjen e personave nga mjetet dhe dhënien e ndihmës së parë.
Zona u rrethua për disa orë, ndërsa qarkullimi u bllokua përkohësisht për të mundësuar ndërhyrjen e shërbimeve emergjente dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se përplasja kokë më kokë mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë, një parakalimi të gabuar ose humbjes së kontrollit të njërit prej mjeteve, por këto mbeten për t’u konfirmuar nga hetimet zyrtare.
Ky aksident i rëndë rikthen vëmendjen te siguria rrugore në akset kombëtare, sidomos në zonat jashtë urbane, ku faktorë si mungesa e ndriçimit, sinjalistika e pamjaftueshme dhe shpejtësia e lartë rrisin ndjeshëm rrezikun për drejtuesit e mjeteve. /Euronews.al/