Policia e Shtetit ka publikuar këtë të premte informacionin zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar një ditë më parë në fshatin Kurtaj të njësisë administrative Gjocaj të Peqinit, ku u sekuestruan rreth 4 mijë rrënjë kanabis në dy magazina. Bëhet fjalë për operacionin që çoi në vetëdorëzimin e drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, dhe më pas në lënien e tij të lirë sot.
Në lidhje me informacionin e dhënë ditën e djeshme, për shpalljen në kërkim të drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Policia ka sqaruar “se shtetasi B. H, u paraqit vetë pranë strukturave të Policisë”.Dhe se prona ku u gjet kanabisi në të vërtetë nuk kishte qenë pronë e tij, por e të vëllait.
“Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë rezultoi se ambientet ku u konstatua veprimtaria kriminale janë në pronësi dhe në administrim të vëllait të tij, shtetasit R. H. Në vijim, shtetasi B. H, është lënë i lirë, pasi nuk rezulton i implikuar në këtë veprimtari kriminale.”, sqaron Policia.
Mes të tjerash, uniformat blu bëjnë me dije se: “Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, në kuadër të operacionit ‘Kurtaj’, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, Bashkia Peqin, strukturat e Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, kanë vijuar veprimet hetimore dhe verifikuese. Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se, në këtë ambient nëntokësor të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, janë konstatuar 1105 vazo ku ishin kultivuar bimë e fidanë të dyshuar kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike që shërbenin për këtë veprimtari kriminale.”
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pajisje dhe materiale të përdorura për këtë veprimtari kriminale, ndërsa pjesa tjetër e bimëve u asgjësua me anë të djegies.
Ndërkohë po ashtu, bëhet me dije se është vënë në pranga një person për “Shpërdorim detyre”, i cili ishte faturist i energjisë elektrike, dhe u shpallën në kërkim 2 autorë të dyshuar (të afërm me njëri-tjetrin), si dhe 2 punonjës të tjerë të OSHEE-së për “Shpërdorim detyre”.