Dogana e Kosovës ka prezantuar lehtësira të reja për komunitetin e bizneseve, duke shënuar një hap të rëndësishëm në reformimin e procedurave doganore.
Në një takim të përbashkët me odat ekonomike, ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe drejtori i përgjithshëm i Doganës, Agron Llugaliu, shpalosën risitë që synojnë përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe uljen e kostove për bizneset.
Sipas një komunikate të Doganës së Kosovës, ndër risitë kryesore është fillimi i zbatimit të sistemit “deklarimi para-arritjes”, i cili mundëson përpunimin e dërgesave deri në një muaj para mbërritjes së tyre.
Ky sistem pritet të reduktojë kohën e pritjes dhe, në raste të caktuara, të lejojë që mallrat të dërgohen drejtpërdrejt në depot e kompanive pa ndalesa në terminale, për bizneset me histori të mirë të respektimit të ligjit.
Ministri Murati theksoi se reformat e ndërmarra, përfshirë kalimin e terminaleve në pronësi shtetërore, kanë për qëllim lehtësimin e tregtisë dhe uljen e barrës për bizneset. Ai shtoi se Qeveria do të vazhdojë avancimin e këtyre lehtësirave në bashkëpunim me komunitetin e biznesit.
Ndërkohë, drejtori i Doganës, Agron Llugaliu, bëri të ditur se, sipas matjeve të sekretariatit të CEFTA-s, Kosova renditet e para në rajon për efikasitet në zhdoganim.
Koha mesatare e zhdoganimit është 54 minuta, krahasuar me mesataren rajonale prej 91 minutash.
Në këtë takim mori pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Bekim Hoxha, i cili theksoi bashkëpunimin me Doganën për harmonizimin e procedurave, në mënyrë që bizneset të përfitojnë nga lehtësirat e reja.
Sipas komunikatës, ndër arritjet e tjera përfshihen digjitalizimi i vazhdueshëm i shërbimeve dhe rritja e vetë-deklarimit nga bizneset, i cili ka arritur në 97.6% të të hyrave nga deklarimet vullnetare.
Po ashtu, u përmendën edhe kursimet e vazhdueshme operative, që sivjet pritet të tejkalojnë 20 milionë euro.