Remitencat në Kosovë gjatë vitit 2025 arritën një vlerë totale prej rreth 1.4 miliardë euro, duke dëshmuar kështu rëndësinë që ka diaspora për ekonominë e vendit.
Në një paraqitje grafike të GAP-it, bëhet e ditur se në krahasim me vitin 2024, remitencat shënojnë rritje prej 59 milionë euro.
Por, nga cili vend i huaj Kosova ka më së shumti remitencat?
Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve vjen nga Gjermania, e cila kryeson me 547.4 milionë euro, që përbën 39% të totalit.
Pas saj renditet Zvicra me 250.2 milionë euro (18%), ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë me 102.5 milionë euro, ose 7%.
Referuar grafikës së GAP-it, kontribute të rëndësishme vijnë edhe nga Austria me 59.3 milionë euro (4%) dhe Italia me 54.3 milionë euro (4%).
Ndërkohë, vendet e tjera si Franca (48.4 milionë euro), Suedia (47.0 milionë euro), Belgjika (46.2 milionë euro), Britania e Madhe (36.9 milionë euro) dhe Norvegjia (29.8 milionë euro) secila përbëjnë rreth 2–3% të totalit. /Telegrafi/