Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar sot lidhur stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën.
Kurti tha se ky është një provokim i Serbisë, që dëshiron të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, por në të njëjtën kohë sipas tij, tregon pasigurinë e tyre.
“Ky është një provokim i Serbisë, e cila natyrisht dëshiron ta cenojnë integritetin territorial dhe sovranitet shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe krye-terroristin Milan Radoiçiq…
Por, në të njëjtën kohë tregon edhe pasigurinë e tyre, sepse në Kosovë nuk ka më struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetërore, paqen dhe sigurinë për të gjithë”, tha ai, raporton Telegrafi.
KFOR-i për stërvitjet e ushtarëve serbë në kufi me Kosovën: Nuk përbën kërcënim, ishte e planifikuar

Kurti tutje theksoi se këto stërvitje të ushtarëve serbë janë provokim dhe për këtë i kanë shkruar faktorëve ndërkombëtarë.
“Por, forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur dhe këtë e bëjmë me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in.
Një njërën anë është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër është shprehje e frikës dhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë dhe nuk mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk ju treten ende”, tha ai. /Telegrafi/