Pasi gjyqtari Fatlum Berisha publikoi fjalët që ika shkruar Tahir Batatina, ka pasur reagime nga të gjitha anët.
Në orët e vona ka ardhur edhe reagimi nga Komisioni i Gjyqtarëve që kanë dalë me një Komunikatë zyrtare.
Në reagimin e Komisionit të Gjyqtarëve, ata dënojnë gjuhen e përdorur nga trajnerii Llapit, Tahir Batatina, si dhe thonë se gjuha e përdorur është e papranueshme..
Reagimi i plotë nga Komisioni i Gjyqtarëve:
Reagim i Komisionit të Gjyqtarëve lidhur me komunikimin e papranueshëm të kryetrajnerit të KF Llapi ndaj gjyqtarit Fatlum Berisha
Komisioni i Gjyqtarëve shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë lidhur me përmbajtjen e mesazheve që trajneri i KF Llapi, Tahir Batatina, i ka bërë ndaj gjyqtarit tonë, Fatlum Berisha.Pavarësisht të drejtës për të shprehur pakënaqësi apo kritika ndaj vendimeve në fushën e lojës, gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme dhe i tejkalon normat etike, profesionale dhe njerëzore.
Veçanërisht shqetësues është referimi që trajneri i lartpërmendur ka bërë në çështje tejet të ndjeshme personale dhe familjare, gjë që tejkalon çdo kufi të komunikimit.Komisioni i Gjyqtarëve shpreh mbështetje të plotë dhe të palëkundur për gjyqtarin Fatlum Berisha, duke vlerësuar profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës.
Çdo përpjekje për ta cenuar dinjitetin personal apo për ta vënë nën presion përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rrethanë. Komisioni i Gjyqtarëve dënon fuqishëm çdo formë presioni, ofendimi apo kërcënimi ndaj gjyqtarëve, të cilët ushtrojnë detyrën e tyre me përgjegjësi dhe në përputhje me rregullat e lojës. Integriteti i gjyqtarëve është themel i funksionimit të drejtë të garave dhe si i tillë duhet të mbrohet pa kompromis.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë akterëve të futbollit trajnerëve, lojtarëve dhe zyrtarëve, që të kontribuojnë në ruajtjen e një klime respekti dhe profesionalizmi, në përputhje me vlerat që futbolli ynë përfaqëson.Komisioni i Gjyqtarëve do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të gjyqtarëve dhe të punojë për forcimin e integritetit dhe besueshmërisë së garave tona. Komisioni i Gjyqtarëve, 18 mars, 2026. /Telegrafi/