Ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ai nuk përfaqëson më shpresë për qytetarët, por një bilanc të keqqeverisjes së tij ndër vite.
“Albin Kurti nuk është më premtim. Ai është bilanc”. ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, pas disa vitesh në pushtet, rezultatet duhet të maten me gjendjen reale në vend dhe jo me retorikë politike.
“Pyetja është e thjeshtë: a është bërë Kosova më stabile, më funksionale dhe më e fortë si shtet pas gjithë këtyre viteve? Përgjigjja është jo,” u shpreh ai.
Haradinaj theksoi se vendi është përballur me kriza të vazhdueshme dhe tensione politike, duke e cilësuar këtë si model të qeverisjes aktuale.
“Në këto vite kemi parë krizë pas krize, bllokadë pas bllokade dhe përplasje të vazhdueshme politike e institucionale. Tensioni është kthyer në mënyrë qeverisjeje. Edhe zhvillimet e fundit me Presidenten Osmani dhe me Gjykatën Kushtetuese e bënë të qartë se problemi nuk është vetëm tek opozita, as vetëm tek rrethanat. Problemi është vetë modeli i pushtetit të Albin Kurtit, i cili prodhon tension edhe brenda institucioneve më të larta të shtetit”, tha ai.
Haradinaj theksoi se qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe rritje të çmimeve, duke kritikuar qasjen e qeverisë ndaj ekonomisë.
“Ndihma nuk është zhvillim. Pagesa nuk është reformë. Transferi nuk është ekonomi,” deklaroi Haradinaj.
Në fund, ai theksoi se vendi ka nevojë për stabilitet institucional dhe zhvillim real ekonomik.
“Për këtë arsye duhet thënë qartë: Albin Kurti nuk është më shpresa e Kosovës. Ai është bilanci i një epoke që premtoi shumë, prodhoi shumë konflikt dhe ndërtoi më pak se sa kishte detyrimin të ndërtonte.Koha e premtimeve ka kaluar. Tani është koha e bilancit”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/