Nga terapia emocionale te rehabilitimi fizik dhe zhvillimi i aftësive sociale, programet me kuaj po bëhen zgjedhja e re për fëmijë, të rinj dhe liderë të ardhshëm
Qëndrimi në natyrë dhe kontakti me kafshët ndikojnë pozitivisht në shëndetin fizik dhe mendor. Përveç qenve dhe maceve, edhe kuajt janë aleatë të rëndësishëm në terapi dhe zhvillim personal.
Programet me kuaj përfshijnë aktivitete të drejtuara nga specialistë për përmirësimin e shëndetit dhe aftësive sociale. Kuajt nuk janë vetëm për kalërim, ata janë partnerë në procesin e mësimit dhe rikuperimit, sidomos për persona me vështirësi emocionale, fizike apo neurologjike.
Edhe vozitja me karroca pjesë e terapisë
Terapia me kuaj nuk nënkupton gjithmonë kalërim, por edhe aktivitete si ushqimi, pastrimi apo drejtimi i tyre, që ndihmojnë në menaxhimin e emocioneve dhe ndërtimin e vetëbesimit. Kjo metodë mbështet personat me ankth, depresion, stres post-traumatik dhe fëmijët me çrregullime të vëmendjes.
Kalërimi terapeutik është formë rehabilitimi fizik që përmirëson forcën, ekuilibrin dhe koordinimin. Për ata që nuk mund të kalërojnë, alternativë janë programet me karroca, të cilat gjithashtu sjellin përfitime fizike dhe emocionale, transmeton Telegrafi.
Program për fëmijë, të rinj dhe liderë të ardhshëm
Këto programe zhvillojnë komunikimin, besimin dhe punën në ekip. Janë të dobishme për fëmijë e të rinj me vështirësi sociale, por edhe për të rritur që duan të përmirësojnë aftësitë drejtuese.
Kuajt kanë efekt të veçantë te personat me ankth, depresion, PTSD, ADHD dhe autizëm, duke ndihmuar në stabilitet emocional dhe rritje të vetëvlerësimit.
Punë ndërdisiplinare e specialistëve
Suksesi i programeve bazohet në bashkëpunimin e psikologëve, fizioterapistëve dhe instruktorëve, të cilët përshtatin aktivitetet sipas nevojave individuale dhe ndjekin progresin.
Kombinimi i natyrës, lëvizjes dhe kontaktit me kuajt ofron një mundësi të veçantë për zhvillim dhe rikuperim, duke ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës. /Telegrafi/