Kryeministri belg Bart De Wever i ka bërë thirrje Evropës të arrijë një marrëveshje me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në një intervistë të botuar në gazetën belge L’Echo.
De Wever argumentoi se një zgjidhje e negociuar është gjithashtu e nevojshme për të rikthyer qasjen në energji të lirë.
Por Bashkimi Evropian mbetet i ndarë për këtë çështje, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán kanë bërë thirrje për bisedime të drejtpërdrejta me Moskën, ndërsa Polonia dhe tri shtetet baltike janë kategorikisht kundër.
Madje, kryeministri argumentoi se “strategjia e dyfishtë” e Evropës për të mbështetur ushtarakisht Ukrainën dhe për të goditur ekonominë e Rusisë është bërë e papërballueshme pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
De Wever tha gjithashtu se qeveria e tij nuk ka plane për të futur subvencione shtetërore për të kompensuar çmimet në rritje të energjisë të lidhura me luftën në Lindjen e Mesme.
Kujtojmë se BE-ja ka punuar për të zvogëluar varësinë e saj nga importet ruse të energjisë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Ajo ka përcaktuar plane për një ndalim të plotë të importeve ruse të karburanteve fosile vitin e ardhshëm.
Por Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë t’i rezistojnë këtyre masave, duke argumentuar se furnizimet ruse me energji janë thelbësore për sigurinë e tyre energjetike.
Ndërkohë, më herët këtë javë, disa udhëheqës evropianë kritikuan vendimin e presidentit Donald Trump për të hequr sanksionet mbi naftën ruse në det, një veprim që synonte tensionet e çmimeve në tregjet globale të energjisë si rezultat i luftës në Iran.
SHBA-të u dhanë vendeve një leje të përkohshme për të blerë naftë ruse që aktualisht është bllokuar në det këtë javë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Presidenti i Këshillit Evropian António Costa e dënuan këtë veprim, duke paralajmëruar se mund të ketë një ndikim negativ në sigurinë evropiane. /Telegrafi/