Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe.
Për këtë ka reaguar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ai është shprehur se Ballkani Perëndimor brenda BE-së nuk është bamirësi, por fitore strategjike.
“Ne mirëpresim koordinimin mes Kosovës dhe BE-së për Ligjin për të Huajt. Çmontimi i strukturave paralele është një punë e vështirë. BE-ja duhet ta pasqyrojë këtë guxim duke hequr masat ndëshkuese dhe duke e çuar përpara aplikimin e Kosovës për anëtarësim.Një Ballkan Perëndimor plotësisht brenda BE-së nuk është bamirësi. Është vetë një fitore strategjike për Evropën”, shkruan Rama në platformën X.
Ndryshe sipas njoftimit të fundit nga autoritetet e Kosovës, zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe për automjetet do të fillojë më 15 mars.
Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.
Masat e reja lehtësuese për pjesëtarët e komunitetit serb vijnë pas një takimi që zhvilluan kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, më 14 mars në Prishtinë./Telegrafi/