Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte trajneri i njohur kosovar Tahir Lushtaku. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.
Gjatë bisedës, Lushtaku rikujtoi një nga periudhat më të vështira të futbollit kosovar, duke folur për gjeneratën e sakrificës dhe përballjet që kishin me regjimin serb.
Ai rrëfeu për momentet kur lojtarët dhe sportistët shqiptarë përballeshin me rrahje çnjerëzore nga forcat policore serbe, por pavarësisht presionit dhe dhunës, ata vazhdonin të mbanin gjallë futbollin dhe sportin në Kosovë.
Një tjetër histori interesante që Lushtaku ndau ishte një episod i pazakontë nga karriera e tij si futbollist.
Ai tregoi se si kishte arritur të shënonte gol pikërisht në ditën e dasmës së tij, një moment që e kujton si një ndër ngjarjet më të veçanta dhe më emocionale të jetës sportive dhe personale.
Biseda u ndal edhe te një nga momentet më të rëndësishme për klubin e Drenicës, menjëherë pas përfundimit të luftës.
Lushtaku përshkroi emocionet dhe krenarinë e inkuadrimit të Drenicës në Superligë, duke e cilësuar atë si një nga momentet më të bukura për klubin dhe për tifozët e rajonit, në një kohë kur futbolli kosovar po ringrihej nga e para.
Në pjesën tjetër të podcastit, ai foli edhe për vështirësitë financiare me të cilat përballej klubi në ato vite.
Lushtaku zbuloi se në disa raste ishte detyruar t’i paguante vetë lojtarët, vetëm që skuadra të vazhdonte garimin dhe të mos shuhej, duke treguar kështu sakrificën e madhe që është bërë për ta mbajtur gjallë futbollin në Drenicë.
Episodin e plotë me Tahir Lushtakun mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/
– YouTube www.youtube.com