Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka filluar një takim i përbashkët i kabinetit qeveritar, i cili do të vazhdojë dy ditë rresht.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se kjo me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Në zgjedhjet e dhjetorit 2025, qytetarët na dhanë një besim të paparë në Kosovën e pasluftës. Ne kërkuam besimin qytetar për ta kthyer atë në siguri e begati. Nuk garuam me premtime që harrohen, por me zotime që jetësohen.
Në dritë të kësaj, sot kemi filluar një takim të përbashkët të kabinetit tonë qeveritar, i cili do të vazhdojë për dy ditë rresht, me qëllim që zotimet e fushatës para qytetarëve dhe ekspozenë e prezantuar para deputetëve t’i shndërrojmë në program qeverisës.
Zotime që kthehen në program dhe program që përkthehet në plane me projekte, qëllime me objektiva, strategji me operacione, masa me punë të përditshme që do të realizohen përgjatë këtij mandati.
Angazhimi, e mira e përgjithshme dhe interesi publik, zhvillimi dhe barazia, integriteti dhe dinjiteti shtetëror kanë qenë dhe do të mbeten pikënisja dhe synimi i qeverisjes sonë. /Telegrafi/