Aktorja Jane Lapotaire, e njohur për publikun për rolin e saj si Princesha Alice e Battenbergut në serialin e Netflix-it “The Crown”, ka ndërruar jetë në moshën 81-vjeçare.
Lajmi për vdekjen, e cila ndodhi më 5 mars, u konfirmua nga Royal Shakespeare Company, ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur.
Jane Lapotaire lindi më 26 dhjetor 1944 në Ipswich. Ajo e filloi karrierën e saj në vitin 1965 në teatrin Bristol Old Vic, ku kaloi dy vjet, dhe në vitin 1970 ishte një nga themelueset e teatrit Young Vic.
Ajo tërhoqi vëmendjen e madhe të publikut në vitin 1977, së pari në miniserialin e BBC-së si Marie Curie, dhe më pas në rolin skenik të Edith Piaf në shfaqjen “Piaf” të Royal Shakespeare Company. Ajo fitoi një çmim Olivier në vitin 1979 dhe një çmim Tony në vitin 1981 për rolin e Piaf, të cilin e interpretoi si në West End ashtu edhe në Broadway.
– YouTube youtu.be
Përveç teatrit, ajo pati edhe një karrierë të shquar televizive. Ajo luajti rolin e Kleopatrës në prodhimin e BBC-së të Antony and Cleopatra në vitin 1981, Princeshën Kuragina në specialen e Krishtlindjeve të Downton Abbey në vitin 2014 dhe Princeshën Alice të Battenberg në serialin e Netflix The Crown.
Sa i përket jetës së saj private, Jane u martua me regjisorin Roland Joffe në vitin 1974, me të cilin pati një djalë, Rowan, një vit më parë. Ata u divorcuan në vitin 1980. Përpara kësaj, ajo ishte e martuar me Oliver Wood, martesë e cila përfundoi në vitin 1967. Më vonë ajo pati një lidhje me aktorin Michael Pennington.
Në janar të vitit 2000, ndërsa po përgatitej për një leksion mbi Shekspirin në Paris, ajo pësoi hemorragji në tru. Ajo iu nënshtrua dy operacioneve të mëdha dhe kaloi një muaj në kujdes intensiv. Ajo shkroi për këtë përvojë në kujtimet e saj “Time Out of Mind” të vitit 2003, i cili u bë një bestseller. /Telegrafi/