Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka reaguar ndaj ftesës së kryeministrit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takime me partitë opozitare, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të ndryshuar narrativën politike të krijuar së fundmi.
Në një reagim publik, Tahiri ka deklaruar se kjo ftesë synon të zhvendosë përgjegjësinë për bllokadën politike nga qeveria te opozita dhe institucionet e tjera.
“Ftesa e Kurtit për takime me opozitën është përpjekje për ta përmbysur narrativën e bllokadës që e ka krijuar vetë dhe njëkohësisht për të dërguar presion ndaj Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, ndonëse në pamje të parë një ftesë e tillë mund të duket konstruktive, në thelb ajo ka qëllime politike.
“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka theksuar ai.
Tahiri ka shtuar se, përmes këtij veprimi, Kurti po përpiqet gjithashtu të zhvendosë vëmendjen nga përplasja politike me presidenten e vendit.
“Njëkohësisht Kurti po mundohet ta zhvendosë vëmendjen nga përplasja me Presidenten dhe ta çorientojë opozitën”, ka deklaruar ai.
Ai ka paralajmëruar se, pa një agjendë dhe pa parakushte të qarta nga opozita, një proces i tillë mund të përdoret për qëllime të tjera politike.
“Pa agjendë dhe parakushte të qarta nga opozita, ai mund ta përdorë edhe këtë proces për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij politike”, ka përfunduar Tahiri. /Telegrafi/