Arian Gashi sot është zgjedhur kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
E lidhur me këtë sot është deklaruar ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Ministrja Gërvalla në një postim në Facebook zgjedhjen e kryesuesit të KPK-së e quan lajm të mirë.
“Lajmi i ditës së sotme është mbledhja e Këshillit Prokurorial, ku suksesshëm u zgjodh Kryesuesi i tij. Kjo i kontribuon zbatimit të reformës së nisur kohë më parë nga institucionet tona për një shtet të së drejtës dhe një sistem prokurorial funksional. Funksionalizimi i plotë i Këshillit Prokurorial është thelbësor për zbatimin dhe thellimin e reformës në drejtësi, si dhe për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial”, shkruan Gërvalla.
Tutje ministrja thekson se pret që përbërja e re të kontribuojë me përgjegjësi në avancimin e mëtejshëm të reformës dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vend.
“Shteti ligjor është realitet vetëm kur ligji e drejtësia sundon mbi çdo ndikim tjetër”, shkruan Gërvalla. /Telegrafi/