Kryeministri Edi Rama në një konferencë për media ka folur për ndërtimin e portit të Porto Romanos.
Rama u shpreh se nuk ka të dhëna që kompania është gjendur nën presion, por sipas tij procesi është zhvilluar nën presion.
Sipas tij nuk ka pasur ndonjë shqetësim të shprehur nga SHBA-të apo BE-ja.
Rama vë në dukje se sa më rëndësi është ndërtimi i portit të ri, kapacitete të cilat porti aktual nuk i ka.
“Nuk ka pasur asnjë shqetësim të shprehur nga SHBA apo nga BE. Por ka pasur presion të vazhdueshëm nga faktorë të tjerë të pa interesuar që ai port të jetë një histori suksesi.
Që nga A-ja, kur disa thonë për çfarë duhet një port i ri se ne kemi portin tonë, atë kënetën në zemër të Durrësit. Dhe e lidhnin idenë e portit të ri me shitjen e atdheut në duart e arabëve, në fakt e vërteta është se përtej injorancës, gjithmonë ka pasur forca që të mos ecte përpara projekti i portit të ri.
Pse? Për një arsye, porti ekzistues nuk ka asnjë kapacitet për të qenë nyja strategjike logjistike e korridorit të 8. Edhe po ta zbukurosh, është i papërshtatshëm për të qenë nyje logjistike. Këtë e thonë proceset e ndjekura dhe realiteti se ai port është mes qytetit.
E dyta, porti i ri si nyje lidhëse e korridorit të 8, e çon Shqipërinë në një nivel krejt tjetër, por dhe shqiptarët. Është një nyje e lidhur edhe me një tjetër nyje strategjike, Portin e Thatë të Prishtinës, dhe me nyjen e Portit të Thatë të Shkupit.
Nëse mendoni se të gjithë mezi po presin që shqiptarët të bëhen më të fortë, mund ta mendoni por iu siguroj që në një sërë vendesh ka forca të cilat nuk e mirëpresin këtë. Kjo nuk ka të bëjë me armiqësi gjeopolitike.
Nëse mendoni se porti i ri është një port që ata të cilët i kanë të lidhura interesat me rrugët e trafiqeve mendoni gabim”, tha Rama.