Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një homazh solemn për viktimat e masakrës në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë ngjarje si një dëshmi të krimeve mizore të regjimit gjenocidal serb.
“13 Marsi është një nga datat, të cilën Mitrovica nuk do ta harrojë kurrë”, tha presidentja Osmani.
Ajo bëri të ditur se në këtë ditë përkujtohen 7 civilë të pafajshëm, nga mosha vetëm 5 deri në 65 vjeç, të vrarë mizorisht më 13 mars 1999 nga granatat e forcave të regjimit serb.
Presidentja theksoi se gjatë këtij akti makabër u plagosën 128 qytetarë të tjerë, përfshirë fëmijë, gra, pleq dhe të rinj, të cilët u përballën me barbarinë e një regjimi kriminal.
“Masakra e Tregut të Gjelbër mbetet dëshmi e dhimbshme e krimeve mizore të kryera gjatë luftës në Kosovë”, tha Osmani, duke shtuar se përulja dhe respekti ndaj viktimave shoqërohen me solidaritet dhe dhimbje me familjet e tyre.
“Përulemi me respekt para viktimave, ndajmë dhimbjen me familjet e tyre dhe riafirmojmë thirrjen për drejtësi”, përfundoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. /Telegrafi/