Një nga projektet më të përfolura infrastrukturore në Prishtinë, rruga “Jim Xhema” – e njohur edhe si Rruga A, vazhdon të përballet me sfida të shumta në realizimin e saj.
Ky projekt filloi me përgatitjet në shkurt të vitit 2022, edhe pse ishte paralajmëruar më herët gjatë qeverisjes së ish-kryetarit të kryeqytetit, Shpend Ahmeti.
Segmenti i parë, rreth 1.5 kilometra, kishte një kosto prej 8.4 milionë euro dhe ishte parashikuar të përfundonte brenda 240 ditëve pune.
Në janar të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Prishtinës vendosi që Rruga A të riemërtohej “Jim Xhema” në nder të veprimtarit shqiptar në SHBA. Punimet nisën zyrtarisht në prill të 2023-ës dhe u paraqitën si një projekt kyç për lehtësimin e qarkullimit dhe lidhjen e disa lagjeve të rëndësishme të qytetit.
Megjithatë, edhe pas gati tri vitesh, rruga ende nuk ka përfunduar. Sipas dokumenteve zyrtare dhe autoriteteve komunale, disa ndërprerje janë shkaktuar nga vendimet e Gjykatës Komerciale, të cilat ndaluan punimet në dy faza, ndërsa vonesat në miratimin e buxhetit nga Komuna e Prishtinës kanë shtuar sfidat në vazhdimësinë e projektit.
Kjo situatë ka bërë që qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve të përballen me vështirësi të mëdha në këtë segment rrugor. Në disa pjesë, rruga mbetet e papërfunduar, me gropa dhe sipërfaqe të dëmtuara, që e bëjnë qarkullimin jo vetëm të vështirë, por shpesh edhe të rrezikshëm.
Drejtuesit e automjeteve janë të detyruar të lëvizin me shpejtësi të ulët, ndërsa reshjet e shiut shtojnë problematikën për shkak të baltës dhe ujit të grumbulluar.
Nga lidhja me lagjen Kalabria janë shtruar vetëm 500 metra asfalt, ndërkohë që në fund të vitit 2025 ishte përuruar lidhja e Rrugës A me Rrugën B. Ky akt kishte shkaktuar kritika ndaj kryetarit Perparim Rama, pasi projekti ende ishte larg përfundimit.
Aktualisht, Komuna e Prishtinës ka një buxhet mbi 150 milionë euro, duke lënë pritshmëri që fokusi të drejtohet tek përfundimi i rrugës “Jim Xhema”. Ky projekt konsiderohet një nga më të rëndësishmit infrastrukturore të kryeqytetit dhe pritet të ndikojë në zhvillimin urban të zonës.
Megjithatë, qytetarët vazhdojnë të përballen me vështirësitë e terrenit dhe presin që ndërtimi të përfundojë sa më shpejt.
Telegrafi ka kontaktuar Komunën e Prishtinës për një afat të saktë për përfundimin e rrugës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/