Drejtori i Inspeksionit në Gjilan, Isa Agushi, ka paralajmëruar masa ndaj të gjithë atyre që kryejnë aktivitete në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se inspektorët do të veprojnë në terren për të ndalur parregullsitë dhe për të vendosur rend në qytet.
Ai ka bërë thirrje për subjektet afariste dhe qytetarët që të ndalin çdo aktivitet të paligjshëm, duke theksuar se në të kundërtën do të ndërmerren veprime konkrete, përfshirë gjoba dhe largimin e aktiviteteve të paautorizuara.
“Ju bëjë ftesë qytetarëve që t’i raportojnë parregullsitë dhe në anën tjetër të pajisen me leje nga organet përgjegjëse”, ka thënë Agushi.
Sipas tij, askush nuk do të lejohet të zhvillojë veprimtari në kundërshtim me ligjin.
“Kërkoj nga qytetarët që po ashtu të kujdesen për mjedisin dhe mos të hedhin mbeturina në trotuare, rrugë, hapësira gjelbëruese e mos të zënë hapësirat publike dhe po ashtu t’i raportojnë këto raste që shkelësit të marrin dënimet e merituara”, është shprehur ai.
Agushi ka theksuar gjithashtu se me ardhjen e stinës së pranverës, lokalet e gastronomisë pritet të përdorin hapësirat publike, andaj ka ftuar pronarët e këtyre bizneseve që të pajisen me lejet e nevojshme nga institucionet përkatëse.
Po ashtu, ai u ka bërë thirrje subjekteve afariste që të largojnë gjësendet e vendosura para lokaleve në trotuare, në mënyrë që të mundësohet lëvizja e lirë e këmbësorëve. Sipas tij, edhe lokalet e gastronomisë dhe ato që lëshojnë muzikë duhet të respektojnë ligjin dhe të shmangin zhurmën që cenon qetësinë publike.
“Inspektorët do të zbatojnë ligjin, duke vetëdijesuar fillimisht me vërejtje e më pas me gjoba shkelësit e ligjit. Të kontribuojmë të gjithë për një Gjilan me më shumë rend e ligj, më të bukur e më të pastër”, ka deklaruar drejtori i Inspeksionit, Isa Agushi. /Telegrafi/