Mbrojtësi i djathtë i Real Madridit, Trent Alexander-Arnold, e ka quajtur Federico Valverden lojtarin më të nënvlerësuar në futboll, pas het-trikut të tij të pabesueshëm kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë të fazës së 1/8-tës së Ligës së Kampionëve.
Valverde vinte pas një goli të vonë fitoreje kundër Celta Vigos në La Liga të premten e kaluar, duke e mbajtur Real Madridin vetëm katër pikë larg Barcelonës në garën për titull.
Pas periudhave të gjata në pozicionin e mbrojtësit të djathtë gjatë dy sezoneve të fundit, Valverde u rikthye në pozicionin e mesfushës së djathtë, ku ka pasur më shumë sukses gjatë viteve të fundit.
Paraqitjet e tij të mira të cilat ngulmuan me paraqitjen e fundit brilante ndaj Cityt kanë bërë që Valverde të vlerësohet lartë nga bashkëlojtari i tij, Alexander-Arnold, i cili e cilësoi uruguaianin si “lojtarin më të nënvlerësuar në planet”.
“E lavdërova disa javë më parë, por përsëri, më mbaruan fjalët për ta përshkruar. Ai është futbollisti më i nënvlerësuar në planet, dhe ka qenë i tillë për vite me radhë, por edhe para se të vija këtu, gjithmonë e admiroja lojën e tij, sepse nuk ka asnjë të metë tek ai”, ka thënë fillimisht Alexander-Arnold.
“Nuk ka asgjë që ai nuk mund ta bëjë, energjia e tij është absolutisht e jashtëzakonshme. Ai nuk ankohet kurrë, vazhdon me lojën, e shtyn veten deri në limit ndeshje pas ndeshjeje dhe është një tipar i mrekullueshëm për t’u pasur”.
“Pavarësisht nëse njerëzit pajtohen apo jo, ai është padyshim në nivelin më të lartë të mesfushorëve në planet dhe ka qenë i tillë për vite me radhë”, përfundoi mbrojtësit anglez. /Telegrafi/