Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Gjilan, Mimoza Kadriu, së bashku me stafin e saj, ka vizituar Down Syndrome Kosova – Qendrën në Gjilan, në kuadër të aktiviteteve që lidhen me shënimin e Dita Botërore e Sindromës Down që mbahet më 21 mars.
Sipas Kadriut, vizita u realizua në kuadër të kampanjës tradicionale për ndërgjegjësim dhe mbështetje ndaj fëmijëve dhe të rinjve me sindromën Down.
“Përmes nismës ‘Një kartolinë për ty’, përcollëm një mesazh mbështetjeje dhe solidariteti për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down”, ka thënë Kadriu.
Ajo bëri të ditur se gjatë qëndrimit në qendër, së bashku me fëmijët kanë punuar kartolina, duke e cilësuar këtë si një përvojë të veçantë dhe të këndshme.
Sipas saj, këto kartolina do të blihen nga qytetarë dhe donatorë vullnetmirë, me qëllim që të mbështetet qendra në realizimin e aktiviteteve dhe në ofrimin e shërbimeve për fëmijët me këtë sindromë.
“Kjo nismë synon mbështetjen dhe sigurimin e shërbimeve terapeutike dhe sociale për fëmijët dhe të rinjtë me sindromën Down, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes, kujdesit dhe dashurisë që ata meritojnë çdo ditë”, është shprehur Kadriu.
Drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka ftuar institucionet, bizneset dhe qytetarët që t’i bashkohen kësaj nisme duke kontribuar përmes blerjes së kartolinave, si një formë donacioni për mbështetjen e aktiviteteve dhe shërbimeve që ofron kjo qendër. /Telegrafi/