Nga dhimbja në gjoks te të përzierat, lodhja dhe dhimbja e shpinës – hulumtimet tregojnë se shenjat e sëmundjeve të zemrës mund të jenë të ndryshme sipas gjinisë dhe shpesh kalojnë pa u vënë re
Sëmundjet kardiovaskulare, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë shkaku i rreth 32 për qind të vdekjeve në botë dhe mund të shfaqen me simptoma të ndryshme tek burrat dhe gratë. Studiuesit analizuan disa studime që përshkruajnë simptomat e këtyre gjendjeve: infarkti i zemrës, dështimi i zemrës, çrregullimet e ritmit të zemrës dhe sëmundjet e venave dhe arterieve.
Ata identifikuan simptomat më të shpeshta për secilën gjendje, por theksuan se ato mund të ndryshojnë sipas gjinisë dhe me kalimin e kohës. Studimi është publikuar në revistën Circulation.
Sëmundjet kardiovaskulare dhe simptomat e infarktit të zemrës
Infarkti karakterizohet nga ndërprerja e papritur e furnizimit me gjak të zemrës. Simptoma më e zakonshme është dhimbja në gjoks, e cila mund të përhapet në nofull, shpatulla, krahë ose në pjesën e sipërme të shpinës.
Simptoma të tjera që shpesh shfaqen janë: vështirësi në frymëmarrje, djersitje e shtuar, lodhje e pazakontë, të përziera dhe marramendje. Studimet tregojnë se gratë më shpesh përjetojnë të përziera dhe dhimbje në shpatulla ose në pjesën e sipërme të shpinës dhe shpesh kanë më shumë simptoma se burrat.
Gratë zakonisht përjetojnë infarkt mesatarisht rreth shtatë vjet më vonë se burrat. Tek të rinjtë që pësojnë infarkt më shpesh bëhet fjalë për burra që pinë duhan dhe kanë histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare.
Simptomat e dështimit të zemrës
Dështimi i zemrës është një gjendje kronike në të cilën zemra gradualisht humbet aftësinë për të pompuar gjakun në trup.
Vështirësia në frymëmarrje (dispne) është shenja kryesore dhe një nga arsyet më të shpeshta të hospitalizimit. Megjithatë, dispnea mund të lidhet edhe me sëmundje të tjera, si sëmundja kronike obstruktive e mushkërive.
Tek të moshuarit kjo simptomë shpesh perceptohet më pak se tek të rinjtë. Lodhja është gjithashtu e shpeshtë dhe shpesh i bën pacientët të shmangin aktivitetin fizik.
Këto simptoma mund të çojnë në humbje të masës muskulore dhe të yndyrës trupore, që mund të tregojë përparimin e sëmundjes. Gratë më shpesh raportojnë edhe simptoma si: të përziera, rrahje të shpejta të zemrës, dhimbje nën brinjë, nervozizëm, mbajtje të lëngjeve dhe djersitje, transmeton Telegrafi.
Sëmundjet kardiovaskulare dhe simptomat e goditjes në tru
Goditja në tru ndodh kur furnizimi me gjak i trurit ndërpritet ose zvogëlohet. Njohja e shpejtë e simptomave dhe reagimi në kohë janë vendimtare për trajtimin.
Simptomat përfshijnë: dobësi ose mpirje, vështirësi në të folur, marramendje, humbje të koordinimit ose ekuilibrit dhe ndryshime në shikim. Disa simptoma mund të vazhdojnë edhe pas goditjes në tru, por mund të përmirësohen me rehabilitim. Studiuesit kanë vërejtur se gratë më shpesh se burrat përjetojnë dhimbje koke.
Simptomat e çrregullimeve të ritmit të zemrës
Çrregullimet e ritmit të zemrës nënkuptojnë rrahje të parregullta të zemrës (aritmi).
Simptomat më të zakonshme janë: lodhje, vështirësi në frymëmarrje dhe marramendje. Më rrallë shfaqen dhimbje në gjoks, ndjenjë të fikëti, rënie e papritur e tensionit të gjakut dhe ankth. Stresi psikologjik mund ta përkeqësojë intensitetin e simptomave.
Gratë dhe të rinjtë më shpesh përjetojnë takikardi, ndërsa tek të moshuarit aritmitë shpesh shfaqen pa simptoma tipike.
Simptomat e sëmundjeve të venave dhe arterieve
Sëmundja e arterieve periferike prek arteriet e gjymtyrëve të poshtme dhe ul furnizimin me gjak në këmbë.
Simptomat përfshijnë: dhimbje në këmbë, lodhje, ngërçe dhe sindromën e këmbëve të shqetësuara. Tek gratë kjo gjendje shpesh është pa simptoma të dukshme. Studiuesit theksojnë se diagnostikimi tek gratë mund të ndërlikohet nga sëmundje të tjera si osteoartriti dhe nga besimi i gabuar se këto sëmundje janë më të shpeshta tek burrat.
Sëmundjet kardiovaskulare dhe dallimet gjinore në simptoma
Në pyetjen pse burrat dhe gratë mund të kenë simptoma të ndryshme të sëmundjeve kardiovaskulare, dr. Corrine Y. Jurgens, profesoreshë në Boston College dhe një nga autorët e studimit, shpjegon se zemra e grave është zakonisht më e vogël se ajo e burrave dhe kjo mund të ndikojë në mënyrën si shfaqen simptomat.
Ajo shton se ekzistojnë edhe dallime në etiologji dhe në tipin e dështimit të zemrës, pasi gratë më shpesh kanë dështim të zemrës me fraksion të ruajtur të nxjerrjes, gjë që mund të shpjegojë dallimet gjinore në simptoma.
Simptomat shpesh shfaqen në grup
Dr. Jurgens thekson se simptomat shpesh shfaqen në grup dhe se është e rëndësishme të raportohen të gjitha simptomat, edhe ato që duken të parëndësishme.
Si shembull ajo përmend lodhjen, e cila shpesh nuk konsiderohet simptomë, megjithëse mund të jetë një shenjë e rëndësishme e sëmundjeve të zemrës. /Telegrafi/