Pavarësisht bombardimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli, Irani nuk heq dorë nga sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. Objektivi i radhës ka qenë Kuvendi i Shqipërisë.
Hakerët e quajtur “Homeland Justice” kanë sulmuar postën elektronike të Parlamentit.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) bëri të ditur se: “Gjatë ditës së sotme është raportuar një sulm kibernetik që lidhet me postën elektronike të Kuvendit të Shqipërisë. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ngritur një grup pune për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë. Informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të vlerësimit teknik.”
Në rrjetin social Telegram, hakerët e mbështetur nga Irani kanë publikuar përmbajtje nga adresat e email-it të Belinda Ballukut, Damian Gjiknurit, Gazment Bardhit dhe Edi Palokës.
Burime për A2CNN bëjnë me dije se administrata e Kuvendit dhe deputetët nuk kanë pasur akses në kompjuterë dhe në adresat e tyre të email-it për disa orë.
Për herë të fundit, hakerët kishin sulmuar duke nxjerrë jashtë funksionit faqet zyrtare të Bashkisë së Tiranës dhe të Institutit të Statistikave.
Në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerësh, të mbështetur nga shteti i Iranit, sulmuan shërbimet online në Shqipëri.
Ky sulm çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Iranit, pasi qeveria shqiptare dëboi përfaqësinë diplomatike iraniane nga vendi si përgjigje ndaj sulmit kibernetik.