Kandidati për president të Barcelonës, Victor Font, ka shtuar kritikat ndaj Joan Laportës në prag të zgjedhjeve të ardhshme në klub, duke u bërë thirrje anëtarëve të votojnë për ndryshim dhe jo për vazhdimësi.
Laporta mbetet favoriti për t’u rikthyer në postin e presidentit dhe për të vazhduar projektin e tij së bashku me drejtorin sportiv Deco dhe trajnerin Hansi Flick.
Megjithatë, Font pretendon se platforma e tij ofron më shumë transparencë dhe stabilitet për klubin katalanas.
Në një prononcim për mediat, Font i bëri thirrje Lionel Messit të sqarojë rrethanat që çuan në largimin e tij nga Barcelona.
“Besoj se Messi nuk do të flasë nga tani deri të dielën, por shpresoj që ta bëjë. Ai duhet të shpjegojë të vërtetën, për largimin e tij nga klubi dhe për përpjekjen për t’u rikthyer në vitin 2023 në mënyrë që anëtarët të mos votojnë të mashtruar”, ka thënë Font.
Ai paralajmëroi gjithashtu se situata financiare e klubit mund të rrezikojë modelin e pronësisë nëse nuk ndërmerren ndryshime të mëdha.
“Nëse të dielën nuk arrijmë të hapim një faqe të re, modeli i pronësisë është në rrezik. Nëse kemi një borxh prej 2.5 miliardë eurosh dhe nuk po gjenerojmë fitime, atëherë pronësia e klubit vihet seriozisht në pikëpyetje”, përfundoi Font. /Telegrafi/