Në vazhdën e hetimeve lidhur me rastin e therjes me thikë që ndodhi më 9 mars në Kaçanik, policia ka arrestuar edhe dy persona të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje të rëndë, njofton Policia e Kosovës.
Rasti, i cili kishte ndodhur rreth orës 20:50 në rrugën “Ura e Konakut”, ka rezultuar me lëndime trupore te një të riu që u dërgua për trajtim mjekësor.
Viktima, SH.K. (21 vjeç), pasi mori kujdesin e nevojshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, është jashtë rrezikut për jetën.
Pas veprimeve intensive hetimore, policia ka arrestuar dy të dyshuarit për rastin: H.K. (24 vjeç) – i dërguar në mbajtje për 48 orë dhe E.K. (17 vjeç) – i dërguar në mbajtje për 24 orë.
Ndaj tyre janë iniciuar procedime për veprat penale: Lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje, pjesëmarrje në rrahje dhe kanosja.
Policia ka njoftuar se ngjarja fillimisht u raportua si therje me mjet të mprehtë (thikë), dhe pas reagimit të shpejtë të hetuesve dhe veprimeve në terren, janë identifikuar dhe ndaluar dy persona të dyshuar lidhur me incidentin.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të rastit dhe për të zbuluar çdo element tjetër që lidhet me ngjarjen. /Telegrafi/