Vedat Muriqi është bërë pjesë e formacionit më të mirë të javës në La Liga për xhiron e 27-të.
Kjo pas paraqitjes së tij fantastike vikendin që lamë pas, me sulmuesin dardan që ishte autor i dy golave të realizuar ndaj Osasunas.
Mallorca luajti baras me rezultat 2-2 në udhëtim, në një ndeshje të cilën e lëshoi nga duart vetëm në minutat e fundit të ndeshjes.
Muriqi në atë përballje ishte vlerësuar si ‘Lojtari më i Mirë’ duke marrë notën 8.6 nga Sofascore dhe tashmë është bërë pjesë edhe e 11-shes më të mirë të javës.
31-vjeçari rreshtohet në fazën ofanzive së bashku me emra si Ante Budimir (Osasuna) dhe Lucas Boye (Alaves).
Për Muriqin paraqitja ndaj Osasunas ishte e 26-ta për të këtë edicion në kampionat spanjoll.
Kujtojmë se sulmuesi shtatgjatë po luan këtë sezon me shifra të jashtëzakonshme, teksa deri në këtë fazë të sezonit numëron 18 gola të realizuar, ndërsa ka edhe një asistim./Telegrafi/