Sigal Prishtina njofton se është e detyruar të ndërpresë pjesëmarrjen në Ligën ENBL për sezonin aktual.
Vendimi vjen për shkak të obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ligës, të trashëguara nga kryesia e kaluar e klubit.
Pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve aktualë për të gjetur zgjidhje dhe për të vazhduar rrugëtimin në këtë garë, borxhet e mëparshme kanë bërë të pamundur pjesëmarrjen e klubit në këtë moment, thuhet në njoftim.
Duke marrë parasysh edhe situatën sportive dhe rezultatet e fundit të ekipit, klubi ka vendosur që përkohësisht të përqendrohet te garat vendore dhe te stabilizimi i skuadrës.
KB Sigal Prishtina thekson se mbetet e përkushtuar për rikthimin e stabilitetit në klub dhe për arritjen e rezultateve që i përkasin historisë dhe traditës së tij.
Në përfundim, klubi falënderon drejtuesit dhe zyrtarët e Ligës ENBL për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar. /Telegrafi/