Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet B.B. dhe E.K., nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 25 shkurt 2026, rreth orës 14:30, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, përkatësisht në Kompaninë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë – KEDS.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre dyshohet se i kanë kërkuar drejtpërdrejt 400 euro të dëmtuarit me inicialet A.H.
Prokuroria njofton se shuma e parave është kërkuar me qëllim që të përshpejtohej procedura për vendosjen e njehsorit elektrik në lokalin e të dëmtuarit në fshatin Sojevë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit i kanë bërë me dije të dëmtuarit se, nëse nuk paguhej shuma e kërkuar, vendosja e njehsorit elektrik do të vonohej për një periudhë prej pesë deri në gjashtë muaj.
Prokuroria bën të ditur se, pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të pandehurit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime, sipas organit të akuzës, ata dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”, nga neni 309 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit. /Telegrafi/