Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës ka miratuar realizimin e vizitave të nxënësve të klasave të nënta në Shkollën e Mesme Profesionale – Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, me qëllim orientimin e tyre në zgjedhjen e drejtimit të ardhshëm arsimor dhe profesional.
Lajmi është bërë i ditur nga drejtoresha e Arsimit në Komunën e Malishevës, Arbëreshë Krasniqi, e cila theksoi se kjo nismë synon t’u ofrojë nxënësve mundësinë të njihen më nga afër me programet dhe drejtimet profesionale që ofron kjo qendër.
“Këto vizita do t’u mundësojnë nxënësve të njohin nga afër drejtimet profesionale dhe mundësitë e shkollimit, duke i ndihmuar të marrin vendime më të sigurta për të ardhmen e tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Ajo ka vlerësuar rolin e Qendrës së Kompetencës “Kujtim Krasniqi” si një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në komunë.
“Qendra e Kompetencës ‘Kujtim Krasniqi’ mbetet një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në komunën tonë, me punë të shkëlqyer dhe përkushtim në përgatitjen e gjeneratave të reja për tregun e punës”, ka theksuar ajo.
Sipas saj, investimi në arsim dhe orientim profesional është thelbësor për zhvillimin e komunës dhe për të ardhmen e të rinjve.
“Investimi në arsim dhe orientim profesional është investim në zhvillimin e Malishevës dhe në të ardhmen e të rinjve tanë”, ka shtuar Krasniqi.
Ajo ka theksuar gjithashtu se ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm për shkollat dhe nxënësit e komunës, duke shprehur mirënjohje për drejtuesit dhe stafin e institucionit.
“Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm dhe suksese të përbashkëta për shkollën dhe nxënësit e Komunës së Malishevës. Përgëzime drejtorit Nazmi Zogaj, stafit të shkollës dhe veçanërisht aktivave të mësimdhënësve, të cilët vazhdimisht promovojnë rëndësinë e orientimit profesional për nxënësit tanë”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/