Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka theksuar rëndësinë e mbrojtjes së parqeve kombëtare, duke i cilësuar ato si pasuri të çmuara natyrore që duhet të ruhen për brezat e ardhshëm.
Në një reagim publik, Pacolli ka vlerësuar se këto zona luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e burimeve natyrore dhe biodiversitetit të vendit.
“Parqet kombëtare janë thesarët tanë më të çmuar. Ato ruajnë ujërat, ajrin e pastër, biodiversitetin dhe bukurinë e maleve dhe pyjeve të vendit tonë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka shtuar se mbrojtja e tyre duhet të shihet si një përgjegjësi e përbashkët shoqërore dhe institucionale.
“T’i mbrojmë ato është detyrë kombëtare”, është shprehur ministrja.
Deklarata e saj vjen pak ditë më parë pas vendimit për ndalimin e çdo aktiviteti ndërtimor pa leje brenda parqeve kombëtare Bjeshkët e Nemuna dhe Sharri.
Sipas saj, vendimi synon rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit në zonat e mbrojtura, duke ndaluar qarkullimin e mjeteve që transportojnë materiale ndërtimore dhe makineri të rënda pa autorizim nga ministria.
Vendimi ka nxitur reagime edhe në skenën politike. Ish-kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka cilësuar atë si të gabuar dhe të shkëputur nga realiteti i banorëve që jetojnë në ato zona.
Sipas Haradinajt, ndalimi i transportit të materialeve ndërtimore në zonën e Rugova dhe në Bjeshkët e Nemuna mund të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e banorëve dhe në zhvillimin ekonomik të fshatrave që ndodhen brenda kësaj zone.
Ai ka theksuar se këto rajone nuk janë vetëm zona natyrore të mbrojtura, por edhe vendbanime ku jetojnë familje që përballen me sfida infrastrukturore dhe ekonomike. /Telegrafi/