Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastiri i Deçanit.
Në një reagim në Facebook, Hoti tha se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nga ajo që ai e quajti retorikë mashtruese që është përdorur për këtë çështje ndër vite.
“Për vite u fol për ‘tradhti’ dhe ‘falje të tokës për manastirin’. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: ‘Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’. Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë kryeministër u bë lehtësisht për hatër”, shkroi Hoti.
Ai shtoi se kjo, sipas tij, tregon mënyrën e vendimmarrjes së qeverisë aktuale.
“Kaq ‘serioze’ është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, deklaroi Hoti.
Deklarata e tij vjen pasi ministri Rashiq, në një intervistë për median lokale serbe Radio Gorazhdevci, foli për marrëdhëniet e tij me Kurtin dhe për çështjen e transferimit të tokës për Manastirin e Deçanit.
Ai tha se ka pasur raste kur nuk janë pajtuar për çështje të ndryshme, por theksoi se vendimi për transferimin e 24 hektarëve tokë ishte marrë pas këmbënguljes së tij të vazhdueshme.
“Do ta them, ndoshta edhe pa modesti, por kjo ndodhi falë këmbënguljes sime të vazhdueshme. Me vite shpjegoja pse kjo është e rëndësishme. Në fund kryeministri më thirri para mbledhjes së Qeverisë dhe më tha: ‘Kam menduar shumë për këtë. Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd’”, tha Rashiq.
Sipas tij, edhe pse bëhej fjalë për një detyrim të vjetër gjyqësor që nuk ishte zbatuar nga qeveritë e mëparshme, fakti që vendimi u mor gjatë mandatit të Kurtit dhe me nxitjen e tij ka peshë të veçantë.
Në vitin 2024, kryeministri Kurti i kishte kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës që të realizonte transferimin e 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit, duke argumentuar se kjo do të ishte një hap i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshilli i Evropës.
Megjithatë, Kosova nuk arriti të bëhej anëtare e kësaj organizate.