Në kuadër të shënimit të Epopesë së UÇK-së, mbrëmja e 7 marsit në Skenderaj vazhdoi me një koncert përkujtimor të mbajtur në sheshin e qytetit.
Pas ndezjes së flakadaneve, mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin e Skenderajt për të përkujtuar të rënët për liri. Gra, fëmijë dhe të moshuar, me krenari dhe me flamuj kombëtarë si dhe flamuj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, interpretuan këngë patriotike kushtuar dëshmorëve të vendit.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe Rifat Jashari së bashku me anëtarë të tjerë të familjes Jashari. Krah tyre ishte edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes kujtoi se 7 marsi shënon përfundimin e rezistencës heroike të familjes Jashari në vitin 1998, një moment i rëndësishëm i historisë së Kosovës.
“Sot 28 vite më pas, përpjekjet e Serbisë për të luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ndaluan. Ato u përthyen me dosje e procese të shumta kundër ushtarëve të Kosovës, të iniciuara pikërisht në Serbi, pikërisht në ato institucione që kryen krime dhe gjenocid kundër popullit tonë.
Sot, këtu nga Skënderaj, i themi të gjithë botës: Ne jemi krenarë me luftën tonë çlirimtare. Të gjithë ushtarët e ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë vëllezër dhe motra të pushkës dhe idealit. I gjithë populli shqiptar i Kosovës dhe i të gjitha trojeve shqiptare është në mbështetje të luftës tonë të drejtë çlirimtare, në mbështetje të drejtuesve të luftës tonë çlirimtare që po mbahen padrejtësisht në Hagë”, tha Maqedonci.
Koncerti vazhdoi me këngë kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari. Hapjen e bëri këngëtarja Shkurte Fejza me këngën “Mora fjalë”.
Koncerti vazhdoi me këngë të tjera atdhetare kushtuar dëshmorëve dhe të rënëve për liri, të cilat u pritën me emocione dhe duartrokitje nga qytetarët e pranishëm.