Futbollistet e Kosovës U17 kanë pësuar humbje të thellë në ndeshjen e fundit të raundit të dytë kualifikues për Kampionatin Evropian U17 për vajza, duke u mposhtur 8-3 nga Hungaria.
Takimi u zhvillua të shtunën në Queluz të Portugalisë, ku futbollistet kosovare nuk arritën të përballojnë ritmin e kundërshtareve dhe e mbyllën garën me një tjetër disfatë të thellë.
Kjo ishte ndeshja e tretë dhe e fundit për Kosovën në këtë fazë kualifikuese. Në një grup shumë të fortë, skuadra kosovare përfundoi në vendin e fundit dhe për ciklin e ardhshëm kualifikues do të rikthehet në Ligën B.
Kosova kishte pësuar humbje të rëndë edhe në dy takimet e para të këtij raundi. Fillimisht, më 1 mars, u mposht 8-0 nga Spanja, ndërsa më 4 mars u mund 3-0 nga Portugalia.
Megjithatë, kalimi deri në këtë fazë ishte arritur falë paraqitjes në raundin e parë kualifikues për Euro 2026, ku Kosova garonte në Ligën B.
Pasi përfundoi e dyta në grup, arriti të sigurojë ngritjen në Ligën A për raundin e dytë. Sidoqoftë, niveli i kundërshtarëve në këtë ligë u tregua shumë i vështirë për ekipin kosovar.
Në përballjen ndaj Hungarisë, Anisa Meha realizoi dy gola për Kosovën, ndërsa një tjetër u shënua nga Reina Halili./Telegrafi/