Kompania evropiane e mediave, Axel Springer, ka rënë dakord të blejë Telegraph Media Group (TMG) në një marrëveshje që kushton 575 milionë funte (663.5 milionë euro).
Kjo marrëveshje tejkalon ofertën prej 500 milionë funtesh (577 milionë euro) që ishte propozuar nga Daily Mail and General Trust (DMGT). Qeveria kishte urdhëruar një hetim mbi atë marrëveshje për arsye të interesit publik dhe konkurrencës.
TMG zotëron Daily Telegraph dhe Sunday Telegraph, revistën Telegraph Magazine dhe faqen e internetit dhe aplikacionin e saj.
Drejtori ekzekutiv i Axel Springer, Mathias Dopfner, tha se dëshiron të “ruaj karakterin dhe trashëgiminë e veçantë” të Telegraph.
“Më shumë se 20 vjet më parë, u përpoqëm të blinim Telegraph dhe nuk ia arritëm. Tani ëndrra jonë po bëhet realitet”, tha ai dhe shtoi se “të jesh pronar i këtij institucioni të gazetarisë cilësore britanike është një privilegj dhe një detyrë”.
Në një deklaratë të kompanisë, Axel Springer tha se do të mbështesë një program investimesh në TMG për të “zhvilluar dhe zgjeruar biznesin”.
Po ashtu, kompania do të zgjerojë edhe shtrirjen e Telegraph në Shtetet e Bashkuara, sipas deklaratës.
Axel Springer është një kompani e madhe evropiane e mediave me bazë në Gjermani që zotëron disa të tilla, përfshirë Bild, Die Welt, Politico dhe Business Insider.
Kjo do të jetë blerja më e madhe e kompanisë, pas blerjes së Politico në vitin 2021 për rreth 1 miliard dollarë (850 milionë euro).
TMG ka mbetur pa pronar që nga viti 2023, për shkak të borxheve të pronarëve të mëparshëm, vëllezërve Barclay.
Lloyds Banking Group në praktikë mori përsëri kontrollin e Telegraph pasi familja Barclay u vonua në pagesën e borxheve të siguruara mbi kompaninë e mediave.
Disa përpjekje për të blerë grupin kanë dështuar gjatë viteve, shkruan bbc.
Grupi amerikan i investimeve, RedBird Capital, kishte tentuar të blinte grupin dy herë.
Grupi pagoi një kredi prej 600 milionë funtesh (692.6 milionë euro) tek Lloyds, duke marrë në praktikë kontrollin e TMG, por oferta për pronësinë u refuzua fillimisht nga qeveria konservatore e mëparshme, pasi ishte e financuar kryesisht nga grupi IMI i Abu Dhabit, i cili i përket familjes mbretërore të Abu Dhabit.
Pas njoftimit se do të blinte gazetat në maj të vitit të kaluar, RedBird u tërhoq nga marrëveshja prej 577 milionë euro në nëntor, pasi u bë e njohur se qeveria laburiste do të dërgonte marrëveshjen për shqyrtim rregullator.
Pak pasi ajo marrëveshje dështoi, botuesi i Daily Mail njoftoi se do të blinte grupin për 500 milionë 575 milionë euro.
Por muajin e kaluar, Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, nisi një hetim mbi marrëveshjen e propozuar të Mail për shkak të shqetësimeve se mund të ndikonte në “pluralizmin e qëndrimeve” në mediat britanike.
Pronari i Daily Mail tha në një deklaratë se dëshiron “çdo sukses” për Axel Springer dhe Telegraph.
Por ai shtoi se “ne kemi punuar shumë për të përfunduar blerjen e Telegraph dhe ishim të bindur se organizata do të kishte përparuar nën menaxhimin tonë afatgjatë. Ne ishim optimistë për planet tona për të investuar në gazetarinë e jashtëzakonshme të saj dhe për të siguruar të ardhmen e një marke të respektuar të medias britanike. Ne besojmë se kuadri rregullator i zgjatur dhe i vjetruar garanton se grupet kombëtare të gazetave të bazuara në Mbretërinë e Bashkuar janë në një disavantazh të madh konkurrues në çdo proces bashkimi”. /Telegrafi/