Gareth Bale ka zbuluar së fundmi një marrëveshje të fshehtë që e pengoi të transferohej te Manchester United.
Bale ishte në radarët e United që në rininë e tij, kur po shkëlqente te Southamptoni. Megjithatë, ai përfundimisht nënshkroi me Tottenhamin, ku u transformua nga një mbrojtës i majtë në një sulmues shkatërrues dhe u bë një superyll i futbollit botëror.
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm ku shënoi 26 gola dhe fitoi çmimin “Lojtari i Vitit”, erdhi momenti që Bale të bënte hapin e radhës në karrierë. Ai u transferua te Real Madridi për 100 milionë euro, një rekord botëror në atë kohë.
Megjithatë, United ishte gjithashtu shumë i interesuar për uellsianin dhe u raportua se trajneri i atëhershëm David Moyes dëshironte ta bënte Bale transferimin e madh që do të hapte një epokë të re në ‘Old Trafford’ pas pensionimit të Sir Alex Ferguson.
Në një paraqitje në podcastin Stick to Football, Bale zbuloi se kishte zhvilluar bisedime me United, veçanërisht me Moyes. Ai pranoi gjithashtu se oferta e United ishte më e lartë se ajo që pagoi Real Madrid.
“United dhe Madridi ishin dy ekipet. Po, kam folur me United. Në fakt ata bënë një ofertë më të madhe se Madridi”, ka deklaruar Bale.
Ai shpjegoi se zemra e tij ishte vendosur te Real Madrid dhe se kishte një marrëveshje të veçantë me kryetarin e Tottenhamit, Daniel Levy, i cili nuk dëshironte ta shiste lojtarin te një rival i Ligës Premier.
Sipas asaj që Bale e quajti një “marrëveshje xhentëlmenësh”, një transferim jashtë Anglisë do të lejohej nëse Tottenham nuk kualifikohej në Ligën e Kampionëve. Kjo ndodhi pasi Spurs përfunduan në vendin e pestë në Ligën Premier.
“Kam folur me David Moyes. Jo me Ed Woodward, ndoshta agjenti im ka folur me të. Zemra ime ishte vendosur te Madridi”.
“Kisha një marrëveshje me Daniel Levy, më shumë një marrëveshje xhentëlmenësh, sepse ai nuk donte të më shiste te një rival”, ka deklaruar ai./Telegrafi/