Në Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë po vazhdojnë përpjekjet për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore përmes angazhimit profesional të specialistëve.
Nga ky institucion bëhet e ditur se në kuadër të Repartit të Internos, shërbime të specializuara në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve endokrine ofrohen nga endokrinologet Dr. Vjollca Selmani dhe Dr. Albiona Dajaku.
Sipas njoftimit, me përdorimin e teknologjisë së ultrazërit realizohen ekzaminime të detajuara në baza ditore, me fokus në identifikimin e hershëm të ndryshimeve në gjëndrën tiroide, si dhe në monitorimin e vazhdueshëm të pacientëve.
Pas diagnostikimit, mjeket përcaktojnë hapat e mëtejshëm terapeutikë dhe ndjekin rastet në varësi të diagnozës së vendosur.
Në njoftim thuhet gjithashtu se përveç trajtimit të problemeve të tiroides, ekipi i endokrinologjisë merret edhe me menaxhimin e rasteve të pacientëve me diabet, duke ofruar terapi dhe këshillim të vazhdueshëm për ta.
Po ashtu, sipas nevojës, realizohen edhe konsulta specialistike në repartet e tjera të spitalit, duke siguruar trajtim multidisiplinar për pacientët e shtrirë që paraqesin probleme endokrinologjike.
Nga spitali theksohet se angazhimi i specialistëve në këtë fushë synon që pacientët të marrin trajtimin e nevojshëm brenda institucionit, duke kursyer kohë dhe duke rritur sigurinë e trajtimit. /Telegrafi/