Në Gjilan po vazhdojnë punimet për ndërtimin e objektit të ri të Shkollës së Mesme të Mjekësisë, projekt që sipas autoriteteve komunale synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet për arsimin profesional në këtë fushë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka bërë të ditur se ndërtimi i objektit të ri po hyn në fazën përfundimtare.
“Objekti i ri i Shkollës së Mesme të Mjekësisë po hyn në fazën përfundimtare. Investimi prej 3.3 milionë eurosh po konkretizohet në hapësira moderne mësimore, laboratorë funksionalë dhe kushte dinjitoze për nxënësit”, ka thënë Hyseni.
Ai ka theksuar se ky projekt shënon një kapitull të ri për arsimin në Gjilan, duke shtuar se shkolla nuk do të shërbejë vetëm për nxënësit e kësaj komune.
Sipas tij, objekti i ri pritet të jetë në shërbim edhe të të rinjve nga komunat e rajonit, duke forcuar rolin e Gjilanit si një qendër e rëndësishme e arsimit profesional në fushën e mjekësisë. /Telegrafi/