Shefja e kabinetit të presidentes Vjosa Osmani, Learta Hollaj, ka reaguar pas deklaratave të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, në lidhje me mbështetjen për një kandidaturë të mundshme të Osmanit për presidente.
Nagavci, gjatë një konference për media, tha se LVV ia ka ofruar presidentes Osmani nënshkrimet për kandidaturën e saj për rizgjedhje, por që ajo ka refuzuar.
“I kemi ofruar Vjosa Osmanit nënshkrimet për kandidaturën e saj, edhe pse nga ajo që dimë asnjë subjekt tjetër nuk e ka bërë një gjë të tillë,” deklaroi Nagavci.
Por, Hollaj e quajti këtë deklaratë të pavërtetë.
“Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër!” tha Hollaj./Telegrafi.