Anësori brazilian dhe lojtari i Real Madridit, Rodrygo, e përfundoi sezonin e tij pas një dëmtimi të rëndë në gju që pësoi në ndeshjen e fundit të La Ligës kundër Getafes.
Raportet e reja zbulojnë se ai ka luajtur me një këputje pjesërisht të ligamentit të kryqëzuar anterior për gati tre vjet, pa ndërhyrje kirurgjikale.
Sipas The Athletic, Rodrygo fillimisht pësoi një këputje të pjesshme të të njëjtit ligament në vitin 2023, ndërsa ishte në detyrë ndërkombëtare me Brazilin.
Në atë moment, ekipi mjekësor i klubit vendosi për një qasje konservative pa ndërhyrje kirurgjikale, duke u mbështetur në fizioterapi intensive dhe punë parandaluese në palestër, me qëllim uljen e rrezikut të një këputjeje të plotë dhe ruajtjen e disponueshmërisë së tij për klubin dhe ekipin kombëtar.
Fatkeqësisht, gjuri më në fund u lëndua gjatë paraqitjes së tij të parë që nga fillimi i shkurtit, menjëherë pasi u rikthye nga një pushim i shkaktuar nga tendinoza në muskulin e kofshës së djathtë.
Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar se 25-vjeçari ka pësuar një këputje të plotë të ligamentit të kryqëzuar anterior dhe meniskut lateral në gjurin e djathtë, gjë që e ka dëmtuar seriozisht nyjen. Ai përballet me një rehabilitim të gjatë dhe të vështirë. /Telegrafi/