Sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kanë goditur rëndë vendet ushtarake iraniane në rajonet kufitare të banuara nga kurdët, përfshirë postat kufitare, bazat ushtarake, stacionet e policisë dhe objektet e Basij në qytete si Paveh dhe Sanandaj.
Milicitë kurde iraniane të stacionuara në kufirin iraniano-irakian në Kurdistanin e Irakut janë konsultuar ditët e fundit me Shtetet e Bashkuara lidhur me sulmet ndaj forcave iraniane në pjesën perëndimore të vendit, sipas tre burimeve të njohura me këtë çështje.
Forcat po negocionin gjithashtu me SHBA-në për ndihmën e CIA-s në furnizimin me armë, thanë dy burime.
Sipas gazetës izraelite Haaretz, një sulm i kurdëve mund të ndodhë në ditët në vijim. CNN raportoi e para për përfshirjen e CIA-s në këto grupe dhe për një operacion të mundshëm tokësor, duke iu referuar burimeve që pretendojnë se agjencia po punon për armatosjen e forcave kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje popullore në Iran.
Më herët, u raportua se presidenti amerikan, Donald Trump, ka biseduar të dielën me liderë kurdë dhe po vazhdon komunikimin me udhëheqës të tjerë lokalë, të cilët mund të shfrytëzojnë dobësinë aktuale të Teheranit për të bërë përparim në terren.
Ndërkohë, SHBA-ja dhe Irani vazhdojnë sulmet dhe eliminimin e objektivave ushtarake në territorin iranian. /Telegrafi/