Struga Trim-Lum ndali liderin dhe tregoi karakter para tifozëve të vet. Në një derbi të tensionuar dhe me shumë duele të forta, skuadra strugane barazoi 1-1 ndaj Vardarit, duke i dhënë fund serisë prej dhjetë fitoresh të njëpasnjëshme të “kuqezinjve” në Ligën e Parë, njofton Telegrafi.
Struga hyri me vetëbesim, ndërsa në portë debutoi Vasko Vasilev, i cili la përshtypje shumë të mira në minutat e para. Portieri i ri u vu dy herë në provë nga mysafirët, por reagoi sigurt, duke mbajtur rrjetën të paprekur në start. Në anën tjetër, Marjan Radeski pati rastin e parë për vendasit, por nuk arriti të konkretizojë.
Vardari kaloi në epërsi pas një goditjeje nga këndi, kur Mislav Matiç shënoi me kokë, duke përfituar nga një moment pakujdesie në mbrojtjen e Strugës. Megjithatë, vendasit nuk u dorëzuan. Loja u bë më e ashpër, me shumë ndërprerje dhe duele të forta, ndërsa Struga kërkoi edhe penallti pas një ndërhyrjeje ndaj Radeskit, por gjyqtari vlerësoi se nuk kishte elemente për pikën e bardhë.
Në pjesën e dytë, Struga rriti ritmin dhe tregoi fytyrën e saj më të mirë. Sulmuesi më i rrezikshëm, Kompaore, tentoi dy herë me kokë, por portieri kundërshtar reagoi mirë. Presioni i vazhdueshëm i struganëve solli frytin në minutën e 82-të, kur zëvendësuesi Maleski u tregua “joker”, duke barazuar rezultatin në 1-1 dhe duke ndezur festën në tribunat vendase.
Deri në fund pati edhe një rast për Vardarin, por shtylla ishte në anën e Strugës. Me këtë barazim, Struga Trim-Lum dëshmoi forcën dhe karakterin e saj, duke i marrë pikë liderit dhe duke dërguar porosi të qartë për vazhdimin e kampionatit.
Në derbin e dy ekipeve tw fundit, derbit tw Shkupit, skuadra e Rabotniçkit për herë të parë këtë sezon ka arritur të lidhë dy fitore radhazi. Ish-kampioni, pas triumfit ndaj Brerës në xhiron e kaluar, sot fitoi ekipin e akademisë të FC Shkupit, duke bërë një hap të rëndësishëm në betejën për mbijetesë. Në Stadiumin e Qytetit në Shkup, Rabotniçki triumfoi me rezultat bindës 3-0 (1-0). Pavarësisht kësaj fitoreje të rëndësishme, Rabotniçki mbetet në pozitën e parafundit me 13 pikë, gjashtë më pak se Makedonija Gj.P. dhe shtatë më pak se Pelisteri. Nga ana tjetër Shkupi deri më tani ka vetëm një pikë. /Telegrafi/