Real Madrid është i gatshëm të thyejë rregullat e veta të brendshme të transferimeve për të nënshkruar me “mesfushorin më të mirë në Angli” gjatë kësaj vere.
Jeta pas largimit të Carlo Ancelotti nga kryeqyteti spanjoll nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Zëvendësuesi i tij, Xabi Alonso, u largua nga posti pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës ndaj Barcelona.
Transferimet e reja si Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen nuk kanë zhgënjyer plotësisht në “Santiago Bernabeu”, por as nuk kanë pasur ndikimin e menjëhershëm që pritej prej tyre kur u bashkuan me skuadrën për Kupën e Botës për Klube sezonin e kaluar.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së trofeve deri tani, Real Madridi mbetet në garë për titullin e La Liga, vetëm një pikë pas Barcelonës, si dhe synon trofeun e 16-të rekord në Ligën e Kampionëve.
“Los Blancos” do të përballen me Manchester City për të pestin sezon radhazi në fazën me eliminim direkt, dhe sipas raportimeve në Spanjë, mund të tentojnë të “rrëmbejnë” një nga yjet e skuadrës angleze.
Nuk është sekret që Reali kërkon një mesfushor të ri pas largimeve të Toni Kroos dhe Luka Modric në sezonet e fundit. Sipas raportimeve, objektivi kryesor është Rodri.
Gazetari spanjoll Ramon Alvarez pretendon se fituesi i Topit të Artë është objektivi numër një i gjigantëve spanjollë, përpara emrave si Enzo Fernandez dhe Vitinha.
Rodri konsiderohej gjerësisht si lojtari më i rëndësishëm në Ligën Premier përpara dëmtimit të ligamentit ACL në vitin 2024, por ka hasur vështirësi për të rikthyer formën që e çoi drejt Topit të Artë.
29-vjeçari ka pasur një tjetër sezon të vështirë për shkak të dëmtimeve, duke nisur vetëm 11 ndeshje në kampionat, ndërsa Real Madridi po monitoron me kujdes gjendjen e tij fizike.
Sipas raportit, Rodri do të duhet të dëshmojë se është plotësisht i gatshëm fizikisht para hapjes së afatit kalimtar veror, në mënyrë që madrilenët të angazhohen seriozisht për transferimin e tij./Telegrafi/