Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një fushatë ajrore ndaj Iranit.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka konfirmuar se SHBA-ja ka nisur “operacione të mëdha luftarake” ndaj Iranit në një video tetëminutëshe në Truth Social.
Ai tha se “aktivitetet kërcënuese” të Teheranit rrezikojnë drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara, trupat tona, bazat tona jashtë vendit dhe aleatët tanë në mbarë botën.
“Për 47 vjet, regjimi iranian ka brohoritur ‘Vdekje Amerikës’ dhe ka zhvilluar një fushatë të pandërprerë gjaku”, pohoi ai.
“Objektivi ynë është të mbrojmë popullin amerikan duke eliminuar kërcënimet e menjëhershme nga regjimi iranian, një grup i egër njerëzish shumë të ashpër dhe të tmerrshëm”, shtoi lideri amerikan.
Ndryshe, Shërbimet izraelite të inteligjencës dhe ato ushtarake vlerësojnë se në një afat shumë të shkurtër pritet një kundërsulm masiv ndaj Izraelit, i cili mund të përfshijë tufa dronësh dhe raketa balistike.
Nëpër qytetet izraelite tashmë dëgjohen sirenat që paralajmërojnë rrezik nga ajri. /Telegrafi/