Një i burgosur është arratisur në orët e para të mëngjesit nga reparti i Onkologjisë në Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 03:10 ka ikur i dënuari me inicialet F.M., i cili ishte i hospitalizuar që nga 16 shkurti 2026. Ai ishte transferuar nga Qendra Korrektuese në Dubravë për trajtim mjekësor dhe po qëndronte në katin e dytë të repartit të Onkologjisë, në një dhomë së bashku me pacientë të tjerë.
I arratisuri është i dënuar për veprën penale “Vjedhje e Rëndë”. Ai ishte arrestuar më 24 tetor 2025 dhe po vuante dënimin prej katër vitesh burgim, me datë të paraparë lirimi më 8 qershor 2029.
Menjëherë pas rastit është njoftuar Policia e Kosovës, ndërsa është themeluar edhe një komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe për të verifikuar nëse ka pasur shkelje nga zyrtarët korrektues përgjegjës për sigurinë e tij.
Si masë e menjëhershme, komisioni disiplinor ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të hetimeve. Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se pas raportit përfundimtar do të ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me gjetjet dhe rekomandimet e komisionit./Telegrafi/