Javën e kaluar, në një rast të vetëm në kantonin e Schwyz, mashtruesit arritën të vidhnin rreth gjysmë milioni franga duke përdorur një skemë “mashtrimi në distancë”.
Si pasojë, siç raportojnë mediat zvicerane, përcjell Telegrafi, Forcat policore të Zvicrës Qendrore po lëshojnë një paralajmërim të fortë në lidhje me përhapjen në rritje të mashtrimit në distancë.
Në këtë drejtim, mediat zvicerane kanë treguar detaje se si funksionon kjo hile tinëzare.
Siç bëhet e ditur më tej, autorët kontaktojnë viktimat e mundshme me telefon dhe pretendojnë të jenë punonjës të bankës.
Pas kësaj, mashtruesit pretendojnë se llogaria është e infektuar me virus.
Ata pretendojnë se ka ndodhur një transferim i paautorizuar dhe se llogaria e-banking është e infektuar me një virus.
Më pas, ata i nxisin të prekurit të shkarkojnë në kompjuterët e tyre programe të dyshuara për skanim virusesh.
Programi është në fakt një program mirëmbajtjeje në distancë.
Kjo u jep autorëve të krimit qasje të drejtpërdrejtë në kompjuterin dhe shërbimet bankare online të viktimës.
Anashkalimi i vërtetimit me dy faktorë
Sipas mediumit zviceran, Blick.ch, viktimave u jepet më pas udhëzim që të hyjnë në llogarinë e tyre bankare online.
Në disa raste, autorët e krimit instaluan gjithashtu një aplikacion përkatës në telefonat celularë të viktimave për të anashkaluar vërtetimin me dy faktorë.
Pas hyrjes në sistem, ekrani i viktimës errësohet dhe mbulohet me mesazhe, ndërsa autorët i shpërqendrojnë viktimat e tyre me anë të telefonit.
Në këtë mënyrë, ata fitojnë qasje të pakufizuar në llogaritë bankare, të cilat zakonisht zbrazen në vetëm disa franga.
Mediumi në fjalë tregon se fondet e vjedhura zakonisht transferohen në llogaritë bankare zvicerane.
Dhe për të parandaluar diçka të tillë, Blick.ch, ka treguar disa këshilla parandaluese nga policia: Bankat nuk u kërkojnë kurrë klientëve të tyre të instalojnë softuer përmes telefonit; Mos instaloni programe me udhëzime nga persona të panjohur; Mos ndani asnjë detaj ose kod pagese; Nëse keni dyshime, ndërpritni telefonatën dhe kontaktoni bankën tuaj nëpërmjet numrit zyrtar të telefonit; Nëse dyshoni për mashtrim, raportojeni menjëherë në polici. /Telegrafi/