Prokuroria Themelore në Ferizaj bën të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.B në Prishtinë dhe E.K në Obiliq, për shkak të dyshimit të veprës penale “Marrja e ryshfetit në sektorin privat”.
Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.02.2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga, “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik.
Siç bëhet e ditur kjo shumë e hollave do të duhej të ndahej ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës, me të cilat këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i ryshfetit në sektorin privat”.
Dy të pandehurit, që nga data 25 Shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartcekur. /Telegrafi/